Voto, miku im… se postet i kemi sistemuar!

Jugulajm.net
2 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Voto, miku im se postet i kemi sistemuar, na vijnë nga PD- ja me shumicë!
Një miku im sot më tha në kafe:

“Unë kam tridhjetë vjet që votoj Partinë Socialiste. Nuk je i vetëm i thashë, ke shok plot, po më thuaj: Nuk kam kërkuar as drejtor, as shef, as këshilltar. Por kur shoh se drejtori është nga PD-ja, shefi nga LSI-ja, specialisti Çam, apo nga PSD-ja e ndonjë tjetër, më lind një pyetje: unë çfarë jam? Vetëm votë?”

I thashë se ndoshta po e tepronte.
M’u përgjigj: “Jo, unë qenkam burim elektoral, jo burim njerëzor.”
Dhe, për çudi, nuk munda ta kundërshtoja.
Partia Socialiste ka lumenj, dete e oqeane votash. Por kur vjen puna te drejtuesit, duket sikur del në pazar. Merr pak nga PD-ja, pak nga LSI-ja, pak nga PSD-ja e pak nga kush ka mbetur rrugës.
Socialisti i thjeshtë ka një detyrë fisnike: të votojë. Kurse të tjerët kanë një detyrë edhe më fisnike: të drejtojnë.

Në fund del se socialisti është i pazëvendësueshëm vetëm ditën e zgjedhjeve. Të nesërmen bëhet i zëvendësueshëm edhe në radhën e kafes.

Ndoshta nuk është tragjedi. Por është një satirë që e ka shkruar vetë realiteti.
Prandaj mos u mërzisni pse postet i marrin të tjerët. Mërzituni vetëm nëse, pas kaq vitesh në pushtet, ende nuk keni rritur njerëzit tuaj për t’i drejtuar institucionet.
Sepse një parti që prodhon vetëm votues dhe jo drejtues, fiton zgjedhjet, por vazhdon të kërkojë administratorë te komshinjtë.

Mendoj se kjo e godet më fort me humor sesa me zemërim. Lexuesi buzëqesh fillimisht, por në fund mbetet me pyetjen: “Po ky miku, vallë, a nuk ka të drejtë?”

Share This Article