Administrata e Bashkisë Klos ka bojkotuar punën në shenjë proteste ndaj propozimit për hartën e re territoriale të paraqitur nga Partia Socialiste.
Punonjësit e bashkisë kanë dalë në protestë kundër parashikimit për shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, sipas propozimit të reformës së re administrativo-territoriale.
Sipas draftit propozohet bashkimi: Klos + Mat → Bashkia Mat
Protesta ka zgjatur rreth 10 minuta, ndërsa administrata ka bërë të ditur se kundërshton këtë vendim dhe kërkon që Klosi të vijojë të mbetet bashki më vete.
Punonjësit paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në një rishikim të propozimit dhe marrjen e një vendimi tjetër për të ardhmen administrative të zonës.
Drafti i Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale u bë publik një ditë më parë dhe ka shkaktuar reagime në disa zona, ku bashki të ndryshme kundërshtojnë propozimet për bashkim ose shkrirje.




