Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra dhe se do të vijojë misionin e tij politik deri në përmbushjen e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deklarata është bërë gjatë një takimi në Pallatin e Brigadave, ku Rama ka mbledhur drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe krerët e komisioneve parlamentare të Kuvendit.
Në fjalën e tij, kryeministri është ndalur te thirrjet për largim nga detyra, duke thënë se tërheqja përballë presioneve të një pakice nuk do të ishte një akt udhëheqjeje apo përgjegjësie institucionale.
“Ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon, aq shumë sa t’ju them të drejtën më gënjen mendja që mund të bëj një tjetër këngë me të. Por në çdo çast, përtej këngës, të largohesh nga detyra që na ka ngarkuar shumica, vetëm se një pakicë bërtet në kor. Nuk është as tipar udhëheqësi dhe as përgjegjshmëri institucionale dhe as modesti intelektuale, është vetëm braktisje e një përgjegjësie.
Edhe të largohesh sot nga vendi do të ishte një shpërfillje e pafalshme e një porosie të madhe kombëtare. Kush të dojë të këndojë. Misioni do vazhdojë. Kur të mbarojë, kur të çojmë flamurin tonë dhe Skënderbeun në BE.
Unë s’dua të humbas orën vendimtare të Shqipërisë në BE. Nëse nuk do të ishte agjenda e BE-së, do të tërhiqesha në katundin tim. Do isha tërhequr dhe nga kryesimi i Partisë Socialiste.”
Rama ka prezantuar në këtë takim edhe aneksin e ri të dokumentit “Besa”, i cili lidhet me reflektimin për lëvizjen në bulevardin e “Flamingove”.-tha Rama.




