Turizmi është fytyra e Shqipërisë, jo vetëm e operatorëve turistikë

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Turizmi në vend nuk dështoi dhe dështon nga mungesa e mbështetjes, por nga mungesa e përgjegjësisë.
Sjellja, qasja dhe mënyra se si një pjesë e operatorëve turistikë e kanë konceptuar dhe administruar aktivitetin e tyre jo vetëm që nuk i përmbushën pritshmëritë, por rrezikojnë të dëmtojnë një nga sektorët më strategjikë të ekonomisë shqiptare. Nëse ka një fushë ku askush nuk mund t’i mohojë Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij përkushtimin, ajo është turizmi.

Qeveria e ka konsideruar turizmin sektor strategjik dhe elitar të ekonomisë shqiptare, duke investuar në infrastrukturë, promovim ndërkombëtar, lehtësi fiskale dhe politika mbështetëse. Edhe unë e kam mbështetur këtë qasje, sepse Shqipëria, për shkak të pozitës gjeografike dhe pasurive natyrore, e ka turizmin një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

Por një politikë e mirë nuk mjafton kur nuk shoqërohet me përgjegjësi nga ata që përfitojnë prej saj.
Në raport me investimet dhe mbështetjen që shteti ka dhënë për turizmin, rezultatet nuk janë ato që prisnim dhe as ato që meritojmë. Në fund, dëmin më të madh nuk e pësojnë operatorët turistikë, por qytetarët shqiptarë, taksapaguesit dhe vetë ekonomia kombëtare.

Të nderuar operatorë turistikë!
Ju duket sikur biznesi që administroni është vetëm i juaji. Fitimi, padyshim, është i juaji. Por sektori ku veproni është shumë më tepër se një biznes privat. Ai mbështetet mbi pasuritë e Shqipërisë, mbi territorin e saj, mbi natyrën, historinë dhe kulturën që u përkasin të gjithë shqiptarëve.
Shteti ka bërë shumë për ju. Ka promovuar Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare.

Ka investuar në infrastrukturë. Ka krijuar politika fiskale lehtësuese. Në shumë raste janë legalizuar ndërtime që nuk duhej të ishin ndërtuar ashtu siç u ndërtuan. Janë vënë në dispozicion plazhe publike dhe janë krijuar kushte që pak sektorë të tjerë i kanë pasur.
Por çfarë morën në këmbim turistët dhe qytetarët? Shërbim që shpesh lë për të dëshiruar.

Çmime që në shumë raste tejkalojnë edhe destinacione shumë më të zhvilluara. Mungesë kulture shërbimi. Mungesë respekti ndaj klientit. Një sjellje sikur turisti ju kishte borxh, e jo sikur ai është arsyeja pse ekziston biznesi juaj.
Shumë prej jush kërkuan të fitonin brenda një sezoni atë që ndërtohet me vite. U përpoqët të pasuroheni shpejt, duke harruar se turizmi ndërtohet mbi besimin dhe rikthimin e vizitorit.

Pak investime në risi.
Pak bashkëpunim mes operatorëve. Shumë xhelozi dhe konkurrencë e pashëndetshme.
Në vend që turistit t’i ofronim produktet shqiptare, shijet shqiptare dhe identitetin shqiptar, shpesh i ofruam mallra importi që ai mund t’i gjente kudo në botë.

Turizmi nuk fitohet vetëm me hotele të bukura. Ai fitohet me mikpritje, korrektësi, profesionalizëm dhe identitet. Sot po shohim pasojat.

Jo vetëm që nuk kemi rritjen që prisnim, por në shumë raste po humbasim edhe turistët që kishim fituar me shumë mund. Madje edhe vëllezërit tanë nga Kosova, që për vite ishin turistët tanë më besnikë, po zgjedhin destinacione të tjera, sepse nuk janë ndier të respektuar. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Prandaj kam një thirrje miqësore për operatorët turistikë: Ndryshoni qasjen. Ndryshoni sjelljen. Ndryshoni filozofinë e biznesit. Kuptoni se fitimi afatgjatë ndërtohet mbi klientin e kënaqur, jo mbi fitimin e shpejtë. Por kam edhe një thirrje për Kryeministrin Rama dhe qeverinë.

Ka ardhur koha që mbështetja për turizmin të shoqërohet me llogaridhënie. Nuk mjafton të investosh dhe të promovosh. Duhet të kërkosh standarde, cilësi, korrektësi dhe përgjegjësi nga çdo operator që përfiton nga politikat publike. Sepse turizmi nuk është vetëm biznes privat. Turizmi është fytyra e Shqipërisë. Dhe fytyra e Shqipërisë nuk ka të drejtë të zhgënjejë askënd.

Share This Article