Policia e Shtetit ka apeluar për vigjilencë të shtuar ndaj një skeme të re mashtrimi kibernetik që synon marrjen e kontrollit të llogarive në aplikacionin ‘WhatsApp’.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet kanë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, përmes të cilave përdoruesit nxiten të klikojnë me pretekste të ndryshme, si votime në konkurse online apo konfirmime veprimesh.
Pas hapjes së linkut, përdoruesve u kërkohet të vendosin kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Sipas Policisë, ky kod përdoret nga mashtruesit për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër, duke marrë kontrollin e plotë të saj dhe duke bllokuar aksesin e pronarit të ligjshëm.
Për të shmangur raste të tilla, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur ato dërgohen nga persona të njohur, si dhe të mos ndajnë në asnjë rast kodin e verifikimit të WhatsApp me persona të tjerë.
Autoritetet rekomandojnë gjithashtu aktivizimin e funksionit Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacion, si një masë shtesë sigurie për mbrojtjen e llogarisë.
Në rast se një përdorues dyshon se llogaria e tij është komprometuar, Policia këshillon që të ndërmerren menjëherë hapat për rikuperimin e saj dhe të njoftohen kontaktet për të shmangur përhapjen e mashtrimit.
Policia e Shtetit thekson se kujdesi i përdoruesve dhe mbrojtja e të dhënave personale mbeten mënyra më efektive për t’u mbrojtur nga mashtrimet kibernetike.





