Deputeti Demokrat i Qarkut Gjirokastër , Tritan Shehu ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook lidhur me reformën e re territoriale të propozuar nga qeveria duke e cilëesuar si një “antireformë”.Shehu e ka argumentuar se ajo bie ndesh me parimet europiane të demokracisë vendore e autonomisë lokale . Duke sjell si shembull Italinë, ku edhe komunat shumë të vogla ruajnë identitetin dhe vetëqeverisjen e tyre, ndërsa bashkimet territoriale bëhen sipas procedurave ligjore dhe me përfshirjen e komuniteteve. Sipas tij, në Shqipëri po synohet një centralizim më i madh, që rrezikon të dëmtojë identitetin historik dhe përfaqësimin e disa bashkive, veçanërisht në Qarkun e Gjirokastrës.
Reagimi i plotë si mëposhtë:
Antireforma territoriale që kërkon të imponojë Rama është diametralisht e kundërt me parimet themelore të Bashkimit Europian: demokracinë vendore, autonominë lokale, subsidiaritetin, respektin për identitetin historik e kulturor të komuniteteve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ajo nuk cenon vetëm Qarkun e Gjirokastrës. Ajo godet vetë frymën e vetëqeverisjes vendore në të gjithë Shqipërinë.
Mjafton të shohim modelin italian.
Italia, me rreth 58,9 milionë banorë, ka rreth 7.900 komuna, të gjitha me kryetarë dhe këshilla të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.
Ka komuna me miliona banorë, si Roma e Milano, por edhe komuna shumë të vogla, si Morterone me rreth 30 banorë, Argentera me rreth 76 banorë dhe Baradili me rreth 80 banorë.
Askush nuk kërkon zhdukjen e tyre.
Sepse në Itali mbizotëron një parim themelor: identiteti historik dhe vetëqeverisja lokale janë vlera që mbrohen, jo pengesa që duhen eliminuar.
• Çdo komunë ka historinë, traditën dhe identitetin e saj.
• Kushtetuta italiane garanton autonominë e komunave.
• Çdo bashkim ose ndryshim territorial kërkon procedura ligjore dhe përfshirjen e komuniteteve përkatëse.
• Komunat e vogla bashkëpunojnë për ofrimin e shërbimeve, por nuk humbasin autonominë, identitetin dhe përfaqësimin e tyre.
Në Shqipëri ndodh e kundërta.
Pa pyetur qytetarët, pa respektuar historinë, traditat, identitetin dhe veçoritë e krahinave, Rama kërkon të imponojë një centralizim edhe më të madh të pushtetit vendor.
Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës synohet të zbehet ose të zhduket identiteti historik i Libohovës, Tepelenës, Memaliajt, Këlcyrës dhe Përmetit, ndërsa të deformohet ai i Gjirokastrës përmes bashkimeve arbitrare.
Kjo nuk është reformë.
Është një antireformë, që dobëson demokracinë vendore, kufizon përfaqësimin e qytetarëve, cenon identitetin historik të komuniteteve dhe largohet nga standardet europiane të decentralizimit.
Shqipëria ka nevojë për më shumë demokraci vendore, jo për më shumë centralizim.
Të gjithë në këmbë për të mbrojtur identitetin, historinë, autonominë vendore dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi komunitetet e tyre!




