Një zjarr ka përfshirë rreth orës 15:30 te kësaj të mërkure shtëpinë e të moshuarve ne Fier.
Zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike të ndodhur në godinën pranë shtëpisë së të moshuarve.
Fillimisht flakët janë pikasur në katin e dytë, duke shkaktuar dëme materiale ndërkohë që në panik 51 te moshuarit mes tymit e flakëve kane dalë në oborr. Të moshuarit treguan momentin se si ra zjarri dhe si dolën prej ndërtesës.
“Kur unë e pashë, tymi po vinte. Gjithmonë sirena bie për një incident të vogël. Kur e pashë tymin i thashë shoqes së dhomës çohu se po mbushet shtëpia me ty. Dhe ikëm avash avash, kur shkuam te shkallët e dyta nuk u mbushëm dot me frymë. Pastaj erdhën dhe na ndihmuan. Nuk ka pasur incidente. Kam 6 vite këtu dhe nuk ka bërë vaki. Shkëndija elektrike çfarë nuk mund të japi”, tha një e moshuar.
“Ishim të gjithë brenda. Ka ardhur i gjithë tymi brenda dhe u bllokuam brenda. Jemi të gjithë brenda. Asnjë nuk prek shyqyr Zotit. Ishte një moment paniku por jo i dëmshëm.”, tha një tjetër.