Banorët e fshatit Dervishaj Bashkia Memaliaj, janë çuar në protestë për atë që ata e quajnë tallje me investimin në rrugën e fshatit.

Kjo rrugë me gjatësi gati 600 metra që vjen nga poshtë prej ish godinës së Komunës Luftinjë e deri më lart në fshat, një ditë para se të dorrëzonte çelësat e zyrës së bashkisë ish kryetari Gjolek Guci, dërgoi dy makina të mëdha me rërë bituminoze duke e hedhur në rrugë e më pas disa punëtorë me lopata e patën shpërndarë. As rul që të krijonte forcimin e shtresës dhe as makinë niveluese nuk u duk atë ditë.

Vetëm tre punëtorë që e shpërndanë rërën e bitumit e cila është e një cilësie jashtë standartit.

Pra një punë shkel e shko. Banorët i’u gëzuan këtij investimi disa ditë para zgjedhjeve pasi ish kryetari Gjolek Guci u premtoi se kjo rrugë do të bëhej me parametra modernë dhe do të përfundonte pas zgjedhjeve. Mirëpo pas zgjedhjeve morën si dhuratë rërën bituminoze e cila nuk aplikohet e pashoqëruar me shtresën ngjitëse. Aq i dobët është ky material, saqë mblidhet sikur të ishte kum plazhi. Banorët shprehen të irrituar për këtë investim në tentativë aq më shumë për këtë tallje që i’u është bërë atyre.

Vetë kryeplaku i fshatit bën fajtor deputetin e zonës Laert Duraj i cili në asnjë moment nuk ka qëndruar afër këtij komuniteti, vecse dy herë në zgjedhjet e 2021 dhe disa ditë para atyre vendore të 14 majit.

Për këtë problematikë, jemi interesuar tek kryebashkiaku i ri i Memaliajt Albert Malaj i cili sot ka zhvilluar mbledhjen e parë me punonjës të administratës pas marrjes së detyrës. Malaj premtoi se do ta ndjekë me shumë seriozitet këtë problematikë. Fshati Dervishaj ndodhet në verilindje të Memaliajt me një popullsi prej 100 banorësh.