Kohë më parë emisioni “Stop” transmetoi një rast abuziv nga ana e prokurorit Emëror Kasaj, i cili kreu një hetim aspak profesional ndaj një familjeje italiane në Gjirokastër. Por prokurori, pas publikimit të rastit nisi një hetim të montuar ndaj avokatit të çështjes Arben Llangozi, të cilit i pezulloi licencën.

Pezullimi u prish nga Apeli i Gjirokastrës. Avokati Llangozi kërkoi në gjykatë shuarjen e masës së pezullimit. Sipas ligjit, kur nuk e ekzekuton prokurori, që e ka marrë masën duhet ta bëjë një tjetër.

“Gjykata e Apelit konstatoi shkelje të rënda procedurale. Dukej qartë që gjyqtarja mori një vendim në makinën e prokurorit dhe jo vendimmarrje të paanshme ashtu siç i takon me ligj. Quhet shkelje e çdo lloj veprimi të kryer nga prokurori Emëror Kasaj. Arrita t’ia provoj këtë gjykatës dhe gjykata vendosi prishjen e këtij vendimi dhe kthimin për gjykim me një tjetër trup gjykues. Aktualisht vendimi që ka dhënë gjyqtarja Suela Dashi u quajt abuziv dhe nuk ekziston një masë kundrejt meje sepse atë që i kërkoi prokurori Emëror Kasaj në makinë, Suela Dashi e vendosi, por ka gjykata të tjera që realizojnë drejtësi”, tha avokati Llangozi.

Tashmë gjyqtarja Suela Dashi, shoqja e Emëror Kasajt, i cili u përjashtua nga drejtësia për shkak të vettingut, ka gjetur një pretekst dhe thotë, se çështja e avokatit gjykohet në Gjykatën e Lartë. Llangozi argumenton, se Suela Dashi ose është hakmarrë, ose ka qenë e paaftë dhe e përdorur nga prokurori Kasaj.

Arben Llangozi: Gjyqtarja në mënyrën më korruptive dhe kriminale të mundshme ka vendosur që ta dërgojë çështjen për kompetencë në Gjykatën e Lartë sepse kundrejt vendimit ku më ishte caktuar masë më ishte bërë rekurs. Më pas i jam drejtuar gjykatave të Republikës së Shqipërisë ku kam kërkuar që të gjykohej shuarja e masës kundrejt meje. Të gjitha gjykatat kanë vendosur si kompetente gjyqtaren Suela Dashi.

Arben Llangozi: Gjykata e Lartë sërish ka vendosur prishjen e gjithë vendimeve dhënë nga kjo gjyqtare që nuk është një e dy, por janë disa, me dhjetëra dhe rikthimin për gjykim në këtë gjykatë.

Gazetari: Pra për ta bërë të kuptueshme për publikun, sa vendime në total i janë prishur Suela Dashit?

Arben Llangozi: I janë prishur rreth 50 vendime. Çfarë ka prekur me dorë gjyqtarja është prishur.

Suela Dashi është emëruar kryetare e Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, por gazetarit të “Stop” nuk i kthen dot përgjigje për 50 vendimet për çështjen ndaj Llangozit.

“Miq të Stopit ndonjëherë heshtja do të thotë shumë më shumë, kjo ëhstë dhe përgjigja e kryetares së Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, Suela Dashi, e cila me heshtje na tha shumë më shumë në lidhje me 50 vendime por të tjera në lidhje me çështjen ndaj zotit Llangozi ku shumë gjykata kësaj gjyqtareje ia kanë prishur”, raportoi gazetari.