Buzëqeshja e karakterizon çdo ditë edhe pse ka lindur me aftësi të kufizuara.

Kjo është Stelina Brakaj, vajza 23-vjeçare nga Llakatundi, e cila çdo ditë sfidon pamundësinë fizike, të cilën tashmë e ka kthyer në forcë. Dita e saj nis me vështirësi, por dëshira për të qenë e dobishme është më e madhe.

“Shkoj çdo ditë vetëm në punë, është e vështirë shumë edhe pak. Shumë ndonjëherë nga rrugët nga infrastruktura edhe është shumë pak se shkoj me dëshirën më të madhe”, u shpreh ajo.

“Unë merrem me pjesën e anijeve turistike, me pjesën e turizmit, me promocionin. Çdo ditë nisem nga shtëpia, shkoj te grupi i hoteleve dhe më pas te zyra, ku merrem kryesisht me rezervime hoteli”, tregon ajo.

E diplomuar për shkenca kompjuterike, ajo punon 8 orë në ditë, por jo të gjithë personat me aftësi të kufizuara e kanë mundësinë ta bëjnë.

“Duhet të ketë më shumë mundësi punësimi sesa ka, sepse nuk ka, sa duhet”, thotë ajo.

Për koleget e punës, Stela është një model për shumë të rinj.

“Me Stelën kam rreth katër vite që punoj, është një vajze shumë energjike, shumë pozitive shumë kreative, një vajzë super”, u shpreh një nga koleget e saj.

Si çdo e re, edhe Stela ka ëndrrat dhe dëshirat e saj në jetë.

“Dua shumë të krijoj një shoqatë ose organizatë për motivimin e personave, sidomos në gjendjen time që nuk janë të motivuar dhe ëndrra ime ajo është”, tregon ajo.