Policia e Shtetit ka paralajmëruar se gjatë fundjavës do të ketë masa të shtuara me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Në një njoftim të saj, policia, ndërsa ka kujtuar se në fundjavë ka një fluks të shtuar të lëvizjes së mjeteve, u ka bërë thirrje drejtuesve të jenë të kujdesshëm.

Policia ka lajmëruar se në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive. Ajo do të përdori makinat inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe mjete të pauniformuara, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të automjeteve, motomjeteve, çiklistët dhe këmbësorët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Ajo fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.