Të jesh sot blegtor, është sfidë e madhe. Kështu shprehet Landi Lumani, blegtori përmetar, i cili me dhimbje pranon se do t’i bashkohet së shpejti dhjetëra blegtorëve në Shqipëri drejt udhëve të kurbetit.

Landi ka një kope me 120 të imta të cilat në shumicën e rasteve, janë në rregjim stallor. Kjo për shkak edhe të mungesës së kullotave në zonë. Mirëpo kostoja e ushqimit për të imtat, sipas Landit ka njohur rritje të pandalshme. Kjo pasi janë trefishuar ushqimet apo dhe preparatet e tjera. E ndërkohë që kostoja sa shkon edhe po rritet, vlera e fitimit të blegtor Landit ngelet në vend numëro.

Sic shprehet vetë ai, shteti duhet të rrisë vlerën e financimit tek blegtorët pasi janë në humbje. Për këtë Landi sjell shembuj nga vendet fqinje, ku kompensimi i qeverive apo digastereve të linjës, ndaj blegtorëve është shumë herë më e madhe sesa në Shqipëri. Fakti tronditës është se zona jugore e sidomos Përmeti, shënohen si vende ku të imtat zënë gati 45% të numrit të krerëve në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kjo për vetë klimën, traditën dhe kushtet në të cilat rriten të imtat. Dhe më keq akoma, nga muaji në muaj, blegtorët po shesin kopetë me të imta për të marrë udhët e emigracionit pasi sic thotë Landi, të jesh blegtor sot në Shqipëri, është sfidë e papërballueshme.

Vetë Landi pohon se ka marrë subvencion nga shteti shqiptar vitin e kaluar, por kjo vlerë është larg pritshmërive dhe kërkesës së vetë blegtorisë apo blegtorëve. Në të tilla kushte, blegtori përmetar, po shikon mundësinë reale për të ndjekur shembullin e shokëve të tij blegtorë në Përmet, të cilët në 6 muajt e fundit, janë larguar në emigrim duke lënë pas të shkreta kullotat pasi të imtat shkuan tek kasapi.