Ka filluar mbjellja e fidanëve të rinj në zonën verilindore të Bashkisë Memaliaj, aty ku dikur në tranzicionin e mesëm shqiptar, njerëzit shndërronin kodrat në gurore për shkak të tahmasë së nxjerrjes së lekut. Kalivaçi është shembulli më i qartë sesi dora e njeriut këtë fshat si zonë të pasur e pjellore që është në listën e 100 fshatrave për zhvillim turistik, e shndërroi në mjedis të dëmtuar. Gurore anë e kënd në 30 vitet e fundit kanë qenë karakteristike e kësaj treve të toskërisë.

Ditët e fundit kryebashkiaku i Memaliajt Albert Malaj, ka ndërmarrë një iniciativë personale dhe sfidë njëkohësisht, që jo vetëm Kalivaçin, por ato vende të dëmtuara ndër vite në territorin e kësaj bashkie që është e dyta për nga madhësia në Qark pas Gjirokastrës, t’i rikthejë në pyje dhe mjedise të gjelbëruara ku dora e njeriut i vendosi sharrën duke rrëmbyer kazmatë e shndërruar pyjet në gurore. Janë 5 mijë fidanë që do të mbillen në territorin e Bashkisë Memaliaj që përbëjnë gati 20 ha dhe kjo për të rikthyer pyjet e dëmtuara. Fadromat dhe mjetet e rënda janë vënë në dispozicion nga biznesmenë të zonës të cilët në këto vite ishin dëshmitarë për të mos thënë pjesmarrës në dëmtimin e ekosistemit natyror të Kalivaçit e zonës përreth, duke krijuar biznes nga guri i nëndheshëm.

Kryebashkiaku Malaj shprehet optimist për këtë iniciativë pasi do t’i krijojë zonës frymëmarrje që i ka munguar këto 30 vite.