Shumica e objekteve të kultit në Përmet, sidomos ato që i përkasin besimit ortodoks, herët në kohën e komunizmit, u poshtëruan duke u shndërruar në magazina. Por kjo ngrehinë përdhese me histori të hershme qindravjeçare, kisha e Shënjt Kristoforit, pati fatin e lig që të provonte trajtimin e kafshëve të kooperativës së Leusës duke u shndërruar në stallë lopësh.

Me ndërrimin e sistemit, ajo u rikthye në origjinë dhe sot shërben si objekt ku besimtarët e zonës, falen dhe marrin pjesë në shërbesat fetare që kryen shërbyesi i kësaj kishe At Ilija Tito. Ky i fundit është i vetmi që prej 32 vjetësh ditë e natë, vjen që nga Përmeti dhe kujdeset për të kishë e cila ndodhet poshtë fshatit Leusë. At Ilia është i vetmi që e pastron, lan, heq barërat e keqija në oborrin e kishës. Jo vetëm kaq, por ai me pasionin e një kishtari të devotshëm, ka bërë çështë e mundur që kisha të ketë ndricim edhe natën përmes instalimit të ndriçuesve LED që përfitojnë energji nga dielli.

Objekti i kultit është i veçantë në historinë e vet, pasi mendohet se daton qysh nga koha e Bizantit. Gjurmët e hershme janë zhdukur nga sistemi i kaluar pasi dëshmitarët thonë se shumë objekte të veçanta që kishte kjo kishë, u thyen dhe u shkatërruan duke zhdukur një trashëgimi të tërë. Mirëpo për At Ilia Titon, kisha e Shënjt Kristoforit, u ringri falë kontributit të drejtuesve të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe ndihmesës që dhanë besimtarët.

Kisha e Shënjt Kristoforit në kohën e sistemit të kaluar ndonëse kishte ndërruar destinacion, sërish besimtarët e devotshëm në raste Pashkësh apo Krishtlindjesh, ndiznin ndonjë qiri jashtë saj fshehtas, madje ka një histori të tillë që kryetari i kooperativës u gjend duke ndezur një qiri në Pashkë çka më pas e pësoi duke u internuar familjarisht në Belsh. Historia e kësaj kishe është kaq shumë e lashtë po aq dhe mistike, pasi dikur vajzat e zonës, luteshin fshehtas për të gjetur fatin e mirë me kurorëzimin e një martese me “princin” e jetës. Sot kjo kishë dergjet e veçuar ashtu si qindra vite më parë por me një shërbim fanatik prej At Ilia Titos.