Zbardhet biseda mes zyrtarëve të Policisë pasi ministri grek Ioannis Ikonomou anuloi takimin me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla.

Pas radhëve të gjata të një ditë me parë në dalje të territorit grek, drejtorët e dy departamenteve të Kufirit shqiptar Saimir Boshnjaku dhe atij grek Ioannis Stavastrakis kanë zhvilluar sot një takim ku kanë diskutuar mbi menaxhimin e situatës.

Drejtuesit më të lartë të policive kufitare shqiptare dhe greke, shprehën vlerësimin për bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh, si dhe u dakordësuan për intensifikimin e masave të përbashkëta për menaxhimin e fluksit, si dhe për rritjen e numrit të sporteleve në të dyja anët e kufirit.

Prononcimi i Drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, pas takimit me homologun grek, në Kakavije:

“Patëm një takim sot me drejtorin e Policisë Kufitare të palës greke, lidhur me menaxhimin e situatës në pikat e kalimit në kufirin me Greqinë. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, themi se situata është normale, pavarësisht se fluksi i rritjes së qytetarëve po shtohet dita-ditës. I kemi marrë këto masa dhe besoj se do të jemi shumë eficient te pjesa e menaxhimit të kalimit. Me palën greke, sidomos me Departamentin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm, është real dhe do të jetë i prekshëm edhe nga qytetarët. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, në raste kur ka pasur radhë, të cilat për momentin janë të pranueshme dhe në nivele normale, por besojmë që me bashkëpunimin mes dy palëve dhe me masat që do të merren në të dy anët e kufirit, situata do të jetë në kushte normale.Falënderojmë edhe palën greke për gatishmërinë që kanë treguar në bashkëpunimin me palën shqiptare dhe besojmë që kjo do të jetë një arritje shumë e mirë për këtë sezon turistik”, u shpreh Boshnjaku.