Kanë pak ditë që kanë nisur ndërhyrjet nëpër çatitë e objekteve në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës.

Fokusi është përqëndruar tek ato shtëpi, që përgjatë viteve të fundit nuk është vënë dorë në konstruktin horizontal kulmor apo dhe atë vertikal.

Janë gjithsej në kufijtë e 70 çative që do t’i nënshtrohet rehabilitimit të pjesshëm me qëllim rezistencën në kohët me shi apo erëra të forta, çka dhe është karakteristike për motin stinor në qytetin e gurtë.

Objektet janë identifikuar përmes një grupi specialistësh nga ana e DRKK dhe përqëndrohen kryesisht në lagjet e sipërme të qytetit, që janë pjesë e zonës historike të trashëgimisë botërore si Cfakë, Dunavat e Palorto.

Sipas kreut të DRKK Qarku Gjirokastër, Ardis Duka, puna për rehabilitimin e pjesshëm të çative vjen në një kohë të përshtatshme, kur pritet që frekuenca e turistëve në to të jetë e njëjta si ajo e viteve të kaluara, ndaj dhe ndërhyrja ka për qëllim që ato të jenë më prezente estetikisht e në të njëjtën kohë të jenë rezistente.

Ndërhyrjet sipas Dukës, parashikohen të shtrihen edhe në objekte të kultit në hapësirën e të gjithë qarkut, sidomos tek ato që janë në fazë degradimi. Fondet e rehabilitimit DRKK i ka të akorduara nga ministria e linjës.

Në mbarë Qarkun e Gjirokastrës, DRKK ka nën administrim gati 540 objekte të kategorisë së parë e të dytë.