Për 43 vjet me radhë kënga labe është e pandare për të. Ky është Arjan Shehu, zëri i të cilit është shumë i dashur jo vetëm për gjirokastritët por edhe dashamirësit e isopolifonisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ishte 18 vjeç kur së bashku me disa moshatarë të tij krijuan Grupin e të Rinjve, i cili brenda një kohe të shkurtër do të ishin pjesë e çdo eventi kulturor.

Isopolifoninë e ka trashëguar nga babai i tij, Jonuz Shehu i cili ishte pjesë e grupit të njohur të Pleqve, ku së bashku me korifeun Xhevat Avdalli, bënin diferencë në interpretimet e tyre.
Ka marrë pjesë edhe në Festivalet Folklorike Kombëtare, pjesë e të cilit do të jetë edhe këtë vit.

Isopolifonia është tashmë pjesë e trashëgimisë botërore UNESCO dhe nuk janë të pakët shtetasit e huaj, të cilët ndjekin me endje këngët e tij sidomos ata francezë. Por Arjani nuk ka trashëguar nga babai i tij vetëm këngë labe, por edhe besimin të cilin e ka përcjellë në 11 breza me radhë.

Kënga labe tradicionale gjirokastrite është pjesë e pandarë e gëzimeve familjare në qytetin e gurtë, ku çdo urim shoqërohet me shprehjen ‘Të këndoftë zemra’.