Në Turqi u lëshuan 113 urdhër arreste nga policia për ndërtuesit e pallateve të shembura pas tërmetit të 6 shkurtit, nën akuzën se nuk kanë zbatuar standartet e duhura të ndërtimit.

Teksa foli për këtë çështje, kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Stamboll, Bora Zukali, në një lidhje skype për Report TV tha se në Turqi kishte rreth 453 mijë kontraktorë dhe shumica prej tyre nuk e kanë përfunduar universitetin.

“Nuk janë ndërtuar me standarte të larta dhe me rregulla. Në Turqi, 453 mijë kontraktorë dhe shumica e tyre nuk kanë mbaruar universitetin, janë mësuar ashtu duke ndërtuar godina një katëshe dhe dy katëshe. Më pas kanë bërë pasurinë dhe janë bërë bosa. Me këtë punë merren duke bërë ortakë inxhinierët të cilët janë paguar. Kur bëhet rrëzimi i ndërtesave, me shumicë arratisen, disa u arrestuan, disa tëtjerë arratisen. Ky është një turp i madh. Kanë vjedhur nga betoni, nga hekuri”-tha Zukali.

Ai shtoi mes të tjerash, se pallatet e ndërtuara pas tërmetit të vitit 1999, pavarësisht çmimit të lartë të tyre dhe luksit, janë shembur për shkak se nuk ishin zbatuar standartet minimale të ndërtimit.

“Në fshatrat që janë me shtëpi një katëshe apo dy katëshe, nuk ka problem tek asnjë shtëpi. Edhe ato që janë bërë para nuk janë rrëzuar.Ata pallate të ndërtuara pas tërmetit të Stambollit në 1999 nuk u ndërtuan sipas standarteve. Ato pallate ndër më luksozet, janë rrëzuar dhe janë bërë shesh si fushë sporti. Një hyrje në këto pallate ka kushtuar deri në 2 mijë euro metri katror”-shtoi ai ndër të tjera.

Deri më tani raportohet për 6444 pallate të shembura nga tërmeti me magnitudë 7.9 që goditi Turqinë në 6 shkurt.. Rreth 70 mijë banesa janë dëmtuar rëndë dhe duhet të shemben nga shteti.