Spanja ka sekuestruar 11 ton kokainë të importuar nga kartelet shqiptare dhe ka arrestuar 20 persona në dy bastisje të ndara.

Këto banda janë në rritje në të gjihë Evropën, tha policia të martë.

E paketuar dhe e fshehur në kontejnerë transporti, droga u dërgua nga Kolumbia më pas kaloi nëpër Ekuador përpara se të kapej nga policia kur u ankorua në dy porte të veçanta në Spanjë, një në qytetin veriperëndimor të Vigos dhe tjetri në Valencia në lindje.

“Brenda vetëm një jave, ne arritëm të hiqnim 11,000 kilogramë kokainë nga tregu,” u tha gazetarëve në Madrid Antonio Martinez Duarte, kreu i njësisë për drogën dhe krimin e organizuar të policisë.

Në Vigo, policia sekuestroi 7.5 ton kokainë të fshehur brenda një ngarkese me ton të ngrirë në atë që ishte kapja më e madhe ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si porta kryesore për dërgesat e drogës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Më vete, policia gjeti 3.4 ton të tjera kokainë të fshehura brenda ndarjeve me fund të dyfishtë në kontejnerët që arritën në Valencia.

Nga të arrestuarit, shumica ishin shqiptarë, por edhe një kolumbian, një shtetas domenikan dhe disa spanjollë, duke përfshirë një biznesmen që i lejoi ata të përdornin firmën e tij të peshkimit për të transportuar drogën dhe identiteti i të cilit nuk u zbulua.

“Të dy operacionet nuk ishin të lidhura, e vetmja gjë që i lidh është që ne besojmë se të dyja drejtohen nga organizata shqiptare,” tha Martinez Duarte.

Ai tha se organizatat ishin pjesë e të ashtuquajturit “karteli ballkanik” i cili ka tërhequr vëmendjen e “të gjitha forcave policore evropiane”.

“Grupet mafioze shqiptare prej disa kohësh kanë monopolizuar dërgesën e drogës, jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikën Latine”, tha ai.

“Këto organizata kanë shkuar menjëherë në pikën e origjinës, ata kontrollojnë dërgesën nga fillimi në fund”, tha ai.

Carlos Gomez, një zyrtar tjetër i policisë së skuadrës së drogës, tha se kishte pasur një ndryshim në natyrën e organizatave të përfshira në blerjen, transportin dhe shitjen e kokainës kolumbiane brenda Evropës.

“Ne kemi kaluar nga grupet e fshehta dhe të mbyllura si kartelet e vjetra kolumbiane dhe meksikane që kontrollonin të gjithë procesin në organizata që janë shumë më të hapura, të decentralizuara dhe ndërkombëtare”, tha ai.

“Dhe ata po krijojnë gjithashtu kooperativa kriminale në të cilat ata gjithashtu ndajnë burimet.”