Në raportin vjetor të aktivitetit të institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, një rëndësi e veçantë i është kushtuar korrupsionit në të gjitha nivelet dhe krimeve ekonomike.
SHISH është ndaluar konkretisht te pastrimi i parave, që vjen si rezultat i fuqizimit të krimit të organizuar jashtë dhe brenda vendit dhe dobësimit të kontrollit të aktiviteteve të tyre ekonomike.
Sipas verifikimeve të tyre, bëhet me dije se krimet ekonomike në vendin tonë nuk realizohen vetëm nga shqiptarët që operojnë në paligjshmëri të theksuar kriminale, por edhe të huaj, pjesë të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Në raport, SHISH flet jashtë fakteve konkrete, por duke sjellë dukurinë dhe mënyrën se si ajo vihet në jetë në vendin tonë. Sipas SHISH, krimet në ekonomi që kanë sunduar vitin që lamë pas, janë evazioni fiskal, kontrabanda, futja e kartëmonedhave të huaja cash dhe metaleve të çmuara mbi vlerën e lejuar.
Po ashtu, një nga shqetësimet e mëdha të 2021-shit është konstatuar informaliteti i lojërave të fatit, po aq sa huadhënia informale jashtë instrumenteve bankare. Një ndalesë interesante, ndonëse e pasqaruar konkretisht dhe me fakte, për shkak të procedurës që ndjek ky institucion, është edhe historia e aktivitetit të “Call-Center”-ave në vendin tonë. Edhe pse për këta operatorë ekonomikë është folur shumë, në fakt asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë aksion kontrollues shtetëror, vetëm në një rast kur në vendin tonë mbërritën ekspertë gjermanë të hetimit, pasi ishin mashtruar me qindra shtetas të vendit të tyre.
Por SHISH tregon se është në dijeni të të gjithë aktivitetit të dyshimtë që kamuflojnë këto kompani dhe që veprojnë prej më shumë se një dekade në vendin tonë. Në raport zë vend edhe prodhimi i “Bitcoin”, monedha që ka hyrë kohëve të fundit, por që është kthyer në një aktivitet konkret kriminal, sipas raportit, pasi ata funksionojnë në informalitet, pasurohen shpejt dhe ekziston rreziku jo vetëm i pastrimit të produkteve të veprës penale, thotë SHISH, por edhe i financimit të terrorizmit. Një tjetër sektor që SHISH thotë që është investuar së tepërmi përgjatë vitit që lamë pas janë krimet kibernetike, shkruan Panorama.
Ata janë ndalur te ndërhyrja në të dhënat personale të shqiptarëve, që pasuan njëra tjetrën pa u ndalur. Në fakt, viti 2021 nisi me skandalin e ‘patronazhistëve’, që SPAK e përjashtoi nga hetimi për mungesë kompetence lëndore, ndërkohë që më pas Shqipëria u godit edhe disa herë të tjera nga ndërhyje në të dhënat personale. SHISH informon se ka ndërhyrë disa herë për të përballuar sulmet kibernetike përgjatë vitit që lamë pas, të gjitha sulme nga jashtë. Ata kanë mundur të identifikojnë shpesh edhe vendin e origjinës së sulmeve, por edhe t`i lexojnë si duhet këto sulme duke i konsideruar edhe si terrorizëm kibernetik.