Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.4, Sarandë, shtetasi K. H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “On time”.
Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin K. H., 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje.
Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti).
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J.