Kohët e fundit punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës kanë shfaqur problematika dhe ngarkesa të mëdha emocionale, dhe mos kontrollimi i këtyre emocionave ka shkaktuar tragjedi, siç ishte vrasja e një punonjësi policie brenda komisariatit nr 3 në Tiranë, ku një polic qëlloi për vdekje kolegun e tij.
Për të parandaluar raste të tilla, Policia e Shtetit ka marrë masa për testimin nga ana psikologjike të punonjësve të uniformave blu.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, në një takim që ka zhvilluar me përfaqësues të shërbimit të psikologëve vuri theksin se, prioritet për këtë testim do të kenë disa struktura apo njësi policore që konsiderohen me risk të shtuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Në takimin Nano u shpreh se puna e përditshme e policisë është sfiduese, jo vetëm si profesionistë, por edhe si njerëz, për shkak të angazhimit 24/24 dhe të ngarkesës emocionale që kanë rastet e trajtuara.
Sipas numrit një të Policië së Shtetit policët kanë nevojë që shërbimi i psikologut të jetë efikas dhe të përmbushë në mënyrën më të mirë dhe me standarde europiane, rolin dhe kontributin në këtë fushe. Për këtë qëllim, Nano theksoi se, në policinë e shtetit është ngritur një grup pune, në mënyrë që ky proces të kryhet në mënyrë sa më të plotë, duke marrë për bazë jo vetëm legjislacionin shqiptar të fushës, por edhe eksperiencën e shërbimit të psikologut të policive të vendeve të tjera dhe në bashkëpunim edhe me misionet policore që asistojnë Policinë e Shtetit.