Një 43-vjeçar nga Saranda u prangos pasi vodhi një shumë parash dhe bizhuteri, në një dyqan. Sipas Policisë së Sarandës, ai kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Policia e Sarandës arrestoi në flagrancë shtetasin Ibrahim Duda, 43 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “vjedhja”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka vjedhur një shumë parash dhe bizhuteri, në një dyqan, në lagjen nr.4, Sarandë.

Pas verifikimeve ka rezultuar se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, duke dalë jashtë banesës.

Ibrahim Duda ishte arrestuar në maj si autori i plagosjes me thikë të dy vëllezërit adoleshentë, 16 dhe 17 vjeç.

Dyshohet se dy adoleshentët i kanë shtypur me makinë qenin 43-vjeçarit dhe për këtë arsye ai i ka sulmuar me thikë.

17-vjeçari K. G u godit me një thikë në kraharor dhe humb shumë gjak. Ai u dërgua në Tiranë për kurim të specializuar. Nga ana tjetër, i vëllai 16-vjeçar mori dëmtime të lehta në dorë.

Duda u dorëzua në 7 maj në Komisariatin e Sarandes dhe u mbajt në burg deri në muajin gusht kur u la më pas në ‘arrest shtëpie’.

Duda njihet si përdorues i drogave të forta dhe është person me precedentë të mëparshëm penal, pasi në të kaluarën është dënuar për tentativë vrasje dhe për vjedhje e kundërshtim të forcave të policisë.