Çmimet në treg kanë vazhduar të shtrenjtohen edhe në muajin gusht, me inflacionin që arriti 8%. Me këtë rritje, një familje shqiptare ka shpenzuar rreth 5000 lekë më shumë se gushtin e vitit 2021 vetëm për ushqime.

Vaji, bulmetet dhe sheqeri janë artikujt me rritje dyshifrore, pa lënë pas edhe produktet apo nënproduktet e tjerë bazë të shportës ushqimore.

Por rritja e çmimeve është e gjithanshme, pasi edhe transporti, qiratë, duhani, pijet alkoolike dhe mobiliet janë rritur nga 3 deri në 19%.

Institucionet parashikojnë rritje të mëtejshme, e cila pritet të ndalet në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa kostos së shtuar për këto produkte, pritet t’i shtohet edhe kursimi në energji.

Për të mos kaluar fashën mujore 800 kv, familjet duhet të sakrifikojnë përdorimin e pajisjeve elektroshtëpiake, edhe pse nevoja për përdorimin e tyre do të jetë e lartë në dimër.

Ndërkohë, një paketë e dytë ndihmëse e lëshuar këtë javë nga qeveria pritet të lehtësojë barrën e çmimeve, sidomos për familjet e varfra.