Kryeministri Edi Rama i ka akorduar liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano medaljen e mirënjohjes publike për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik në Shqipëri. Në urdhrin e firmosur nga Rama ndër të tjera thuhet se kjo medalje i jepet edhe për frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën tejet shembullore në momente tejet të vështira të politikës kombëtare dhe personale, si edhe për rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit.

Urdhri i Ramës vjen disa ditë pasi ish-kryeministri Fatos Nano është shtruar në spital për shkak të problemeve me mushkëritë. Krahas urdhrit kreu i qeverisë shqiptare lutet për shërimin e tij dhe shpreh mirënjohjen për gjithçka të mirë që ai i dha vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.

“Lutem për Fatos Nanon! Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, shkruan Kryeministri.

Kujtojmë se prej më shumë se një jave, Nano është në intubim pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike. Fatos Nano ka qenë 3 herë Kryeministër i vendit në periudha të ndryshme. Ai u largua nga pushteti në vitin 2005 dhe si rrjedhojë dhe nga drejtimi i partisë.