Për më shumë se një orë e gjysme edhe sot qytetarë e studentë u mblodhën për të protestuar para Kryeministrisë për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës dhe të karburanteve.

Dita e shtatë e protestës është mbyllur me disa kërkesa fikse që qytetarët kanë për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke ia përmbledhur në disa pika, të cilat nuk negociojnë për t’i plotësuar.

Qytetarët kërkojnë që të hiqet taksa e qarkullimit, pezullim i TVSH-së për produktet e shportës, ngritje të mazhit të fitimit për kompanitë e hidrokarbureve, paketë për qytetarët në nevojë dhe hetim për koncesionet dhe abuzimet në treg.

Në të kundërt kanë paralajmëruar protestë kombëtare ditën e shtunë, duke shtuar se do të qëndrojnë 24 orë në shesh nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Po ashtu, i kanë paraprirë, duke njoftuar edhe Policinë që të mos ndërhyjë, pasi në kryeqytet do të bllokohen të gjithë sheshet.

Megjithatë deri të premten, sipas tyre, kryeministrit Edi Rama ka kohë që të dalë me një paketë tjetër, që iu vjen realisht në ndihmë qytetarëve për të përballuar krizën.