Rregulla të reja pritet së shpejti që të hyjnë në fuqi sa i përket përdorimit të patinave elektrike në rrugë.

Tashmë këto mjete do të kenë një targë identifikuese, një numër serie, si dhe elementë të tjerë të sigurisë.

Ndryshimet janë ende në diskutim mes Drejtorisë së Trasporteve dhe Policisë Rrugore ku pritet miratimi i tyre dhe implementimi më pas në Kodin Rrugor.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është fakti se për të përdorur një monopatinë duhet të jesh mbi 16-vjeç.

“Kushtet që janë propozuar dhe që janë menduar do të jenë që të qarkullojnë në korsinë e rezervuar për biçikleta. Duhet të jenë me një targë njohëse dhe me një numër serial identifikues, pra një numër shasie e përkthyer ndryshe.

Të qarkullojnë me kasa mbrojtëse. Mendohet që të vendoset kriter edhe mosha, që mos të lejohet qarkullimi me patina elektrike nën moshën 16-vjeç”, tha Gerhard Baka nga Policia Rrugore.

Rregullimet ligjore vijnë pas shtimit të rrezikut në rrugë për shkak të shpejtësisë së lartë të monopatinave. Po ashtu poseduesit e tyre shpesh herë nuk respektojnë rregullat e qarkullimit.

“Për informacion, kemi patur rast konstatimi që ka arritur deri në 130 km/h. Kjo nuk do të lejohet dhe do të ndalohet kategorikisht.

Ne mendojmë që kjo kategori nuk duhet të regjistrohet fare dhe shpejtësia që do të lejohet do të jetë 25 km/h, pra shpejtësia maksimale e kësaj kategorie, sepse në rast se e kalon shpejtësinë mbi 25 km/h atëherë klasifikohet motomjet”, shtoi ai.