Pas rritjes të çmimit të bukës (25%), miellit (20%), vajit të lulediellit (32,5%), rritet edhe çmimi i orizit, sheqerit, fasules dhe niseshtes.

Në dyqanet e pakicës të produkteve ushqimore çmimi i orizit Gold të kompanisë Teuta, distributorit më të madh të produkteve ushqimore, këto ditë është rritur 6-12,5%, sheqeri është rritur 10%, fasulet 5-10% dhe niseshteja 20%.

Sipas drejtoreshës të financave të kompanisë “Teuta” Junis Uruçi, çmimi i orizit nga 160 lekë/kg varion në 170-180 lekë/kg, sheqeri nga 90 lekë/kg po shitet 102 lekë/kg, fasulja nga 200-210 lekë/kg në 220 lekë, ndërsa niseshtja nga 70 lekë/500 gr në 85 lekë.

Znj. Uruçi pohon se rritja për çmimet e këtyre produkteve ka qënë e vazhdueshme, e cila ka nisur që dhjetor të vitit të kaluar. “Ndërkohë situata në tregjet ndërkombëtare është e vështirë.

Çmimet rriten përditë, transporti po ashtu, edhe furnizimet nuk janë si më parë. Oferta është më e ulët kudo”, nënvizon ajo.

Furnizimet nga ky distributor sigurohen nga tregjet europiane dhe ato aziatike për produktin e orizit. “Nga Azia janë rritur shumë kostot e transportit.

Nga Europa është rritur shumë çmimi i furnizimit”, shton znj. Uruçi. Aktorët kryesorë të importit të mallrave ushqimore thonë se në këtë situatë është e vështirë të bëhen parashikime për ecurinë e çmimeve dhe gjetjen e furnizimeve, pasi në tregjet e huaja ndryshimet janë të shpeshta. Për muajin prill pritet një tjetër rritje e çmimit të vajit të lulediellit. Grosistët e vajit në Hungari njoftuan rritje të çmimit të vajit 55,5%.

Burimi: Monitor