Pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku nënë e bijë Eleni dhe Ornela Vangjeli, 74 dhe 54 vjeç u gjetën  të vdekura në banesë, fqinja e tyre, tregon kontaktin e fundit me to.

Ajo shprehet se me 54-vjeçaren ka folur të shtunën, dhe i është shprehur se ka shtruar nënë në spital pasi ka probleme me frymëmarrjen.

Fqinja shprehet se ajo ka shkuar gjatë këtyre ditëve në banesën e tyre, por dera nuk është hapur, madje së fundmi në banesën e tyre kanë ardhur edhe kolegët e 54-vjeçares, por dera nuk është hapur.

Ka qenë djali i të moshuarës, që është kthyer sot nga Greqia i cili ka tentuar të futet, por ka parë që dera ka qenë e mbyllur nga brenda, ndërsa më pas është thirrur zjarrfikësja dhe policia

“Me Ornelën kam komunikuar të shtunën, ajo më tha që kishte shtruar nënën e saj në spital sepse kishte vështirësi në frymëmarrje.

Ornela më kërkoi të shihja nëse e kishte mbyllur derën e banesës së saj apo e kishte lënë hapur. Unë shkova kontrollova derën e shtëpisë së saj dhe i thashë që derën e ke të mbyllur.

Gjatë këtyre ditëve kur kam dalë nga shtëpia kam trokitur tek dera e Ornelës por nuk më është përgjigjur njeri edhe pse kur kam parë derën nga afër më është dukur sikur brenda kishte çelës. U shqetësova sepse me Ornelën nuk po kontaktoja më.

Ornela ishte edukatore në Vithkuq, dhe sot erdhën kolegët e punës për ta kërkuar, trokitën edhe ata por dera nuk u hap.

Unë mora në tel edhe mbesën e tyre, por as ajo nuk dinte gjë. Sot erdhi djali nga Greqia, tentoi të hapte derën por dera ishte e mbyllur nga brenda.

Më pas me ndihmën e zjarrfikëses dhe policisë dera u hap por i gjetën të pajeta” tha ajo.