12 363 nxënës më pak ka në shkolla në të gjithë Shqipërinë krahasuar me vitin e shkuar shkollor.

Top Channel zbulon se numri i saktë i nxënësve të regjistruar në institucionet arsimore parauniversitare për vitin shkollor 2023-2024 është 333 420 nxënës, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit. Në kërkesën për informacion dërguar Drejtorisë së përgjithshme arsimore jo të gjitha pyetjet kanë marr përgjigje. Sa nxënës janë në arsimin 9 vjeçar dhe sa në gjimnaze, e në cilin cikël ndihej rënia më e madhe janë anashkaluar nga Ministria edhe pse është detyrim ligjor informimi për interes të opinionit publik.

Por nga krahasimi i të dhënave ndër vite, pavarësisht mungesës së transparencës nga Ministria e Arsimit, nuk fshihet dot rënia e ndjeshme e numrit të nxënësve, ku që prej vitit shkollor 2020-2021 e deri më sot, ulja është me 56 067 nxënës vetëm brenda katër viteve. Rënia më e fortë është ndjerë në kohën e pandemisë, ku me lirimin e masave anti covid pati edhe një shpërthim të emigracionit të shqiptarëve, që u reflektua menjëherë në më pak nxënës në banka.

Numri me më shumë se 10 mijë fëmijë mungesë së sistemin arsimor parauniversitar për 2024, ka prekur më shumë zonat rurale ku ende ka nxënës të klasave të ndryshme që zhvillojnë mësim bashkë. Mungesa e nxënësve ka sjell edhe uljen e numrit të klasave të bashkuara me 1.7% krahasuar me vjet. Mirëpo edhe pse Ministria e Arsimit në përgjigjen ndaj Top Channel pranon se ka lëvizje të nxënësve  në argumentin e rritjes së cilësisë së mësimit, mohon që të ketë shkolla të mbyllura për këtë vit shkollor.

“Strukturat arsimore në fund të çdo viti shkollor, nëpërmjet strukturave të arsimit parauniversitar analizon numrin e nxënësve dhe organizon vendosjen në shkolla. Aty ku është e mundur bëhet riorganizimi i mësimit në shkolla, në funksion të uljes së numrit të nxënësve që zhvillojnë mësim në klasa të bashkuara. Në këtë mënyrë nxënësve u ofrohet mundësia të zhvillojnë mësim në klasa të veçanta, me mësues sipas profileve lëndore dhe me infrastrukturë shkollore më të mirë. Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore realizohet në përputhje me vkm 662, ndaj nuk ka shkolla të mbyllura për vitin shkollor 2023-2024”-thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Nga ana tjetër, Top Channel mësoi se shkollat kanë vende të lira pune për më shumë se 2000 mësues në rang vendi e nuk janë të plotësuara me staf mësimor, ndonëse Ministria e arsimit tregon se janë punësuar për periudhën janar 2023-janar 2024,  3 110 mësues të profileve të ndryshme, ndërkohë kanë dalë në pension 1.3% e numrit total të mësuesve.