Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar mbi gjendjen e akseve rrugore në vend si pasojë e motit të keq.

Aktualisht, ARRSH thotë se po vijon pa probleme qarkullimi në të gjitha akset nacionale. Intensiteti i reshjeve të dëborës ka rënë në të gjithë territorin, ndërsa temperaturat kanë shkuar deri në -6 gradë në zonat malore.

“Grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prezencë dëbore për pastrimin, zgjerimin dhe evitimin e ngricave”, njoftoi ARRSH.

Autoriteti Rrugor bën thirrje që drejtuesit e makinave të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.