Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për fitoren e Fredi Belerit nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, i cili fitoi Bashkinë e Himarës dhe pse ndodhet në qeli.

Sipas mediave greke kryeministri grek ka theksuar se rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke.

“Isha veçanërisht i lumtur kur u informova se Fredi Beleri ia doli dhe u zgjodh kryetar komune në Himarë me një diferencë të vogël. Dhe uroj dhe shpresoj që kjo aventurë të marrë fund së shpejti”, tha ai, duke theksuar se “rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke”.

Kryeministri grek komentoi dhe marrëdhëniet mes Greqisë me Turqinë.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri ka fituar zgjedhjet në Bashkinë e Himarës.

Gara mes kandidatit socialsit Jorgo Goro dhe Belerit ishte tepër e ngushtë.

Fredi Beleri, u arrestua mëngjesin e 12 majit me urdhër të Prokurorisë së Vlorës me akuzën e ‘korrupsionit aktiv në zgjedhjet’, pra për blerje të votave.

Ai u ndalua nga policia mbrëmë në mesnatë, bashkë me 3 të tjerë, ndërkohë që ishte prej ditësh në hetim.

Tani pritet procesi gjyqësor për Belerin nëse ky i fundit do të ulet në karrigen e kryetarit të Bashkisë së Himarës  apo në këtë Bashki do të zhvillohen sërish zgjedhje të tjera.