Qeveria italiane pritet të marrë masa drastike për të shmangur kolapsin e burgjeve në vend, për shkak të mbipopullimit.

Nënsekretari i Ministrisë italiane të Drejtësisë, Andrea Delmastro është shprehur për mediat italiane se qeveria mund të ndërhyjë me dy masa konkrete. E para ka të bëjë me personat e burgosur për shkak të varësisë nga droga.

Ndërsa masa e dytë parashikon riatdhesimin në vendin e origjinës të të gjithë të burgosurve shqiptarë dhe rumunë.

“Ne do të nxjerrim një qarkore që të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe rumunë që të transferohen në burgjet e vendeve të origjinës pa pëlqimin paraprak”, tha ai.

Më tej, Delmastro, duke iu referuar pranisë së 15 mijë të burgosurve të huaj në burgjet italiane që kushtojnë 137 euro në ditë për person, mbajti një qëndrim të prerë: “Në çdo rast, ata kanë thyer paktin e shtetësisë dhe nuk duhet të rëndojnë më në xhepat tatimpaguesve italianë”.