Një punonjës i Shërbimit Zjarrfikës në Kavajë ka kërcënuar dy kolegët e tij me thikë, pas një konflikti të çastit.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar se shtetasi T. R., 52 vjeç, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Kanosje”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës) ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës materialet procedurale në ngarkim të punonjësit të MZSH-Kavajë, T. R., 52 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje”. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore dhe deklarimeve të marra, rezulton se shtetasi T. R. ka kanosur me thikë pas një konflikti të çastit, dy kolegët e tij, të cilët ndodheshin në krye të detyrës”, tha AMP në një njoftim për mediat.