Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se është ende herët për të shpallur fitoren ndaj virusit, duke theksuar se situata po monitorohet në dinamikë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për rivlerësimin e masave anticovid.
E pyetur për rishikimin e masave anticovid, Manastirliu tha: “Eshtë ende herët për të shpallur fitoren, është ende herët për të lëshuar të gjitha masat jo mjekësore, por nga ana tjetër ajo çfarë duhet dhe çfarë po bëjnë vendet është një vlerësim epidemiologjik mbi bazën e situatës lokale dhe ka disa vende që kanë marrë vendimin për të lehtësuar këto masa. Sa i përket masave tona, masat në Shqipëri janë masa që konsiderohen të intensitetit të ulët dhe mesatar. Situata po vlerësohet në mënyrë dinamike, është aktualisht një situatë që na bën të jemi të kujdesshëm në raport me ato hapa që do të marrim sa i përket lehtësimit të masave”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se në vendin tonë mbizotëron qarkullimi i variantit Omicron, ndërsa foli edhe për situatën e të shtruarve në spitale.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se Komiteti Teknik do të mblidhet së shpejti për të rivlerësuar afatin 6-mujor të dozës përforcuese dhe uljen e ditëve të izolimit.