Gjykata e Tiranës, që kishte liruar së fundmi, në 16 shkurt, Dan Hutrën, autorin e vrasjes së tre grave dje në Tiranë, ka reaguar duke treguar edhe arsyet ligjore që çuan në atë vendim.

Sipas Gjykatës, pas arrestimit për dhunë familjare në familje Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg dhe do të vuante vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ky dënimi është ulur pasi i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesë; dhe prej faktit se Huta dhe Elena Hysa prisnin një fëmijë.

Deklarata e gjykatës :

Gjyqtari Gerd Hoxha ka zbatuar ligjin! Dënimi është ai qe ka kërkuar prokurori.
Aplikimi i gjykimit të shkurtuar nuk u kundërshtua as nga prokurori dhe as nga palët.

Lirimi ka ardhur vetëm pasi kishte kryer gjithë dënimin e kërkuar nga prokuroria.

Kujtojmë se në vendimin e gjykatës, që mban datën 8 shkurt 2023, Dan Hutra është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg dhe do të vuante vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ky dënim i ulët në argumentimin e gjyqtarit Gerd Hoxha thuhet se është marrë për disa arsye.

Së pari, vepra është kryer me dashje nga i pandehuri, i shtyrë nga xhelozia, i pandehuri ka ndërmarrë veprime aktive, duke e kërcënuar (jo kanosur) me fjalë por, pa e goditur viktimën e pa i shkaktuar asaj dëmtime fizike; faktin se, i pandehuri e ka pranuar akuzën dhe ka shfaqur pendesë; faktin se Huta dhe viktima prisnin një fëmijë, ndaj të cilit i pandehuri ka detyrime themelore për rritje dhe edukim.

Gjithashtu sipas gjyqtarit, autori ka një nënë te moshës 74 vjeç, e cila vuan nga disa sëmundje dhe gjithashtu, kërkon kujdes shëndetësor të vazhdueshëm që mund të sigurohet nga i pandehuri.

Ndërkohë që në vendimin tjetër te firmosur nga gjyqtari hoxha, me 16 shkurt, firmoset  shuarja e masës së sigurisë dhe lirimi i Dan Hutrës.

Kjo për shkak se më 16 shkurt bëheshin 8 muaj nga arrestimi dhe duke qenë se paraburgimi llogaritet 1.5 dite, atëherë 8 muaj paraburgim ishin ekuivalente me 12 muaj vuajtje dënimi.

Por para se te bëhej publik vendimi i shuarjes së masës së sigurisë për Dan Hutrën, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm publikoi me detaje se si ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Hutrës për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në detyrim për paraqitje.