_upscale

Gripi po qarkullon masivisht në Shqipëri. Sipas ISHP, Gjirokastra është qyteti me incidencën më të lartë të të prekurve nga gripi dhe infeksionet e tjera respiratore me afro 100 raste për 10 mijë banorë, e ndjekur nga Gramshi, Fieri, Durrësi, Tirana, Mati, Vlora dhe Berati.

“Qendrat e mëdha, Tirana, Vlora, Shkodra, Durrësi, Elbasani janë qytetet që raportojnë shtim të virozave respiratore. Numrin më të lartë e mban Gjirokastra. Nuk e kemi arritur pikun, dy-tre javët në vijim me problematike”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i infeksioneve respiratore ka arritur në 15 mijë raste në jave, 1 mijë raste më shumë krahasuar nga një javë më parë.

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se  gripi i cili po qarkullon masivisht dhe agresiv në grupet e riskuara, ka një dominim në krahasim me Covid-19.

“Jemi në një fazë me qarkullim të dendur të infeksioneve virale. Ka kaluar mbi 15 mijë infeksione në javë të raportuara. Kemi disa infeksione njëkohësisht, ka dominim  të gripit A H1 që është më agresiv se A H3, është më problematik të kalimit të infeksionit në individë të veçantë”.

Bluzat e bardha rekomandojnë kontaktin me mjekun e familjes dhe shmangien e përdorimit të medikamenteve në mënyre abuzive nga vetë pacientët.

Për grupet e riskuara, mjekët thonë se duhet të kryhet vaksina antigrip në çdo kohë.

Deri tani, nga 260 mijë vaksina, afro 210 mijë qytetarë janë vaksinuar për të shmangur komplikacionet e rënda nga gripi.