Hakerat iranianë të grupit Homeland Justice kanë publikuar në rrjetet sociale të menaxhuara prej tyre, dy video që pretendohet se janë përgjimet të agjentëve të SHISH në Tiranë.

Në video dallohen dy persona që mesa duket survejojnë “objektivin” e tyre. Ndërsa në një prej video-ve dallohet ndërtesa e Ambasadës Kineze në Tiranë.

Megjithatë vlen të theksohet se personat në video mbajnë logon e Policisë së Shtetit, dhe njëri prej tyre besohet të jetë ish-kreu i bluve, Gledis Nano.

“Përshëndetje jemi njësia hetimore e Policisë së Shtetit. Unë jam drejtori”, dëgjohet teksa thotë personi në video ndërsa një person tjetër i paidentifikuar flet shqip dhe më pas në gjuhën angleze.

Rreth një javë më parë, hakerat e grupit Homeland Justice publikuan databazën me emrat e rreth 600 punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror.

“Prisni për bombën të bjerë”, shkruajnë hakerat.

“Në vend të të harxhoni taksat e qytetarëve tanë me anti-humanët, terroristët e Durrësit, shpenzoni paratë për njerëzit e edukuar”, thuhet në mesazhin e hakerave që i referohet muxhahedinëve iranianë të strehuar në kampin e Manzës në Durrës.