Amari, 3-vjeçari i zhdukur prej 8 ditësh është bashkuar më në fund me mamanë e tij.

Ka qenë gjyshja e tij, Bahrije Gjuni ajo që ka dorëzuar nipin në policinë e Durrësit pas shpalljes në kërkim për rrëmbimin e 3-vjeçarit.

Gjyshja është paraqitur në polici bashkë me nipin i cili është në gjendje të mirë shëndetësore, por nuk dihet ku kanë qenë gjatë gjithë këtyre ditëve.

Të shtunën e kaluar, ajo u zhduk në mënyrë misterioze bashkë me nipin të cilin e kishte marrë nga mamaja e tij për të kaluar fundjavën. Por ndryshe nga herët e tjera, që fëmija kthehej te e ëma në orarin e caktuar, këtë herë gjyshërit nuk e kthyen nipin.

Gjatë këtyre ditëve policia ka ushtruar kontrolle në Durrës, Kukës e Has për gjetjen e nipit dhe gjyshjes por pa rezultat. Ndërkohë gjyshi i arrestuar dhe kunati i tij ndodhen në burg pasi nuk kanë treguar vendndodhjen e 3-vjeçarit.

Shkak për këtë ngjarje dyshohet se janë bërë konfliktet që gjyshërit kishin me nusen e tyre pas vdekjes së djalit një vit më parë.

Nusja, Ile Gjuni pas vdekjes së bashkëshortit kishte marrë djalin dhe ishte larguar në shtëpinë e prindërve të saj, por vjehrri dhe vjehrra duke ndjerë mungesën e djalit të tyre donin të kishin pranë nipin.