Joana Duro, ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë është dënuar me 2 vite e 8 muaj nga Gjykata e Posaçme. SPAK kishte kërkuar 4 vite burg dhe dënimi është pranuar nga togat e zeza, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar është zbritur 1/3 e dënimit.

Për ish-numrin dy të Ministrisë së Shëndetësisë është vendosur gjithashtu dhe pezullimi për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për dënim me burgim është pranuar dhe për specialisten në këtë ministri, Laura Shteto, si dhe për biznesmenin dhe inxhinierin e kompanisë “Dricons” që dha ryshfet për të fituar tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Joana Duro u arrestua më 2 qershor të këtij viti, pasi akuzohet se ka marrë 3.3 milionë lekë të vjetra si ryshfet për marrjen e një tenderi.

Në pranga ra edhe Laura Shteto, me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Shteto, sipas SPAK, ka marrë paratë nga kompania që kishte ndërhyrë për tenderin dhe ja ka dhënë sekretares Duro.

Në momentin e operacionit, në zyrën e Joana Duros është gjetur dhe shuma e marrë si ryshfet, prej 3 milionë e 300 mijë lekë të vjetra.

SPAK ka kryer veprimet hetimore dhe nga to është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga Joana Duro me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi Vladimir Topi.

Qëllimi i këtij shtetasi ka qenë për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Po ashtu, nga hetimi u grumbulluan prova që krijonin dyshime se Silvi Shehi me detyrë inxhinier pranë “Dricons sh.p.k”, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330.000 lekë nga banesa e shtetasit Vladimir Topit, ja ka dërguar më pas shtetases Laura Shteto.

Kjo e fundit ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, e cila u kap në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.