Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 35”.
Transportonin kundrejt fitimit, 9 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihen në pranga 2 shtetas, të cilëve iu gjet në automjet, edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Në pranga edhe 2 shtetas nga Pakistani, me sasi kanabisi në çantë, të dyshuar si organizatorë të kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme, të 9 emigrantëve.
Sekuestrohen automjeti, sasia e lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë parash, si dhe 4 aparate celulare.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë edhe të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 35”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Enxhi Tabaku, 22 vjeç dhe Sirjani Vogli, 21 vjeç, të dy banues në Krujë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, duke transportuar me automjetin tip furgon, 9 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve ndaluan gjithashtu shtetasit M. A., 21 vjeç dhe A. M., 18 vjeç, të dy nga Pakistani, pasi nga veprimet hetimore rezulton se janë organizatorë të veprimtarisë kriminale të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, të 4 këtyre shtetasve iu gjetën, në automjet dhe në çantën e dorës, si dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin këta shtetas, sasia e lëndës së dyshuar narkotike kanabis, një shumë parash dhe 4 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.