Për Mit’hat Havarin,ish-drejtues i Policisë së Shtetit, shumat marramendëse të parave cash dhe bizhuteritë e vjedhura në banesën e zyrtares së shtetit Alda Klosi nuk ka dyshim që vijnë nga burime të paligjshme.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai thotë se ka pasur edhe raste të tjera vjedhjesh të zyrtarëve të shtetit por që nuk i kanë denoncuar nga frika.

Havari: Ky rast mua më shqetëson shumë, është zyrtarja e shtetit, paratë e shumta që ka ajo. Me rrogë shteti nuk pasurohesh por mund të jetosh në mënyrë dinjitoze. Këto shifra marramendëse padiskutim vijnë nga burime të paligjshme. Vjedhësja me të birin nuk më shqetëson, por zyrtarja e lartë e shtetit shqiptar, shumat marramendëse që i janë gjetur.Një zyrtare shteti që i përket sektorit të financës, e ka të ndaluar. Në aeroport nuk kalon dot me mbi 10 mijë euro.

Havari: Nuk është rasti i parë që vidhet banesa e një zyrtareje të lartë shteti. Janë vjedhur disa dhe heshtin se i kanë lekë të vjedhura.Kanë frikë. Nuk ua lanë baballarët e tyre, u lanë vetëm morrat e kuq andej nga janë. Janë bastardë, të kenë turp.Njerëzit diskutojnë bukën e gojës, varfëri ekstreme.

Kujtojmë se Alda Klosi ka qenë person kyç në çështjet e incineratorëve të këtyre koncesione në këto 9 vite të qeverisjes.

Havari: I mbyt zullumi thoshte im atë. Kanë shpërthyer ujërat dhe nuk do jenë në gjendje të stabilizojnë këto situata.

Sipas ish-zyrtarit të lartë të policisë, nëse SPAK do të ketë vullnet hetimi mbyllet brenda orësh.

Havari: Dumani, kreu i ri i SPAK, që ka ardhur tani ka ngjallur shumë shpresë për shkak të profilit të tij të besueshëm. Nëse ka hetime kryesisht, i jep mundësinë Dumanit të thërrasë atë vajzën nesër për një orë bën hetimin, merr fund gjithçka. Kërkon faturat dhe ajo nuk ka asnjë faturë. Ose e kundërta mund të ketë faturat dhe mbyllet.

Duke komentuar paranë e madhe informale që qarkullon në vend, ai thotë se është lek droge dhe korrupsioni në zyrat e shtetit.

Havari: E keni dëgjuar sa ka shkuar metri katrorë i shtëpive,  është droga dhe vjedhjet që bëjnë zyrtarët e shtetit. Kryeministri Rama deklaroi para 3 vitesh janë larguar 600 zyrtarë shteti të tatimeve. Ai e tha me një lloj mburrje por është një turp i madh. Janë zëvendësuar me 600 hajdutë të tjerë.Nuk ka ndryshuar gjë. Enver Hoxha na la në ’90-n kockë e lëkurë. Ku u pasuruan këta, me çfarë rrogash shteti? Është shumë e lehtë të hetohen por nuk duan dhe nuk kanë vullnet.