Një shqiptar i arratisur nga një burg në Francë është vënë në pranga nga autoritetet greke.

Mësohet se shqiptari u arrestua pasi u kap së bashku me një person tjetër duke transportuar 1 kg kokainë.

Shqiptari Altin Ibrahimi, kishte shumë precedentë penalë dhe arriti të arratisej nga një burg në Francë.

Ai u kap ditën e djeshme në Thermi të Selanikut rreth orës 11.30, kur policia ka ndaluar për kontroll automjetin më targa EHA-3962.

Gjatë kontrollit, drejtuesi i mjetit deklaroi të dhëna të rreme identiteti dhe u tregoi punonjësve të policisë dokumente të falsifikuara, një pasaportë greke me identitetin Dionysios Vlahos, lindur më 7.7.1983 dhe leje drejtimi greke me të njëjtin informacion si më sipër. Më pas, gjatë kontrollit të kryer në brendësi të mjetit, u gjet ndër të tjera 1 qese me lëndë narkotike kokainë në formën e një “guri” me peshë 1 kg 62.2 gramë.

Sipas mediave greke, përveç dokumenteve të falsifikuara, drejtuesit të mjetit i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 2 telefona celularë, ndërsa pasagjerit të identifikuar si Agelos Paprikidis, 51 vjeç, i është gjetur dhe sekuestruar një shumë prej 3784 euro.

Gjatë kontrollit të banesës së drejtuesit të mjetit, janë gjetur dhe sekuestruar 3 peshore precize, një shumë prej 5640 euro dhe një sërë dokumentesh dukshëm të falsifikuara, ndërsa në shtëpinë e Paprikidis, u sekuestruan 5 gram lëndë kokainë dhe 24.400 euro.

Nga verifikimet e kryera nga policia, ka rezultuar se identiteti i vërtetë i drejtuesit të mjetit është Altin Ibrahimi, shtetas shqiptar, 41 vjeç, banues në Panoramatos, Ilia Pileidi 11 në Greqi.

Ai kishte një urdhër arresti nga Prokuroria e Athinës për krime të organizatës kriminale, falsifikim, dëshmi të rreme.

Ai ka precedentë penalë në Greqi për organizim kriminal, falsifikim, dëshmi të rreme, zhvatje, grabitje, vjedhje të rëndë, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në mars 2016 u arrestua në Francë së bashku me Agelos Paprikidis për trafik droge dhe në muajin Maj të po atij viti u arratis nga burgu francez.