Ish-drejtori i ASHK-së Sarandë është liruar ditën e sotme nga Gjykata e Apelit.

Ish-zyrtari i lartë i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë qëndroi për 26 ditë në burg, prej ditës kur u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës.

Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash” pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit, e cila kishte lëshuar urdhër ndalimi për Muratin dhe 10 zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë të ASHK, Bashkisë dhe IKMT.

Gjyqtari i çështjes ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke vendosur lirimin në sallë të gjyqit për 47-vjecarin.

Mariel Murati, akuzohet se ka ndërtuar pa leje një hotel 7 katësh, në lagjen nr.4 të Sarandës dhe më pas e ka legalizuar atë.

Më pas, dyshohet se shtetasi M., ka paraqitur në ASHK një akt-ekspertimi të falsifikuar.

Po sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, u shqyrtua edhe masa e sigurisë për 9 të ndaluarit e tjerë të operacionit të nisur në 13 mars.