Policia e Tiranës ka identifikuar drejtuesin e makinës luksoze “BMWX6” i cili fluturoi tek diga e liqenit si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën po lëvizte.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit.

I riu, që sipas policisë është 26-vjeçari Eldi Allushi nga Durrësi arriti që të dilte nga makina, mori targat dhe dokumentacionin brenda, duke u zhdukur pa gjurmë për t’i shpëtuar policisë.

Policia në njoftimin zyrtar nuk thekson nëse e ka shpallur në kërkim për dy veprat penale që e akuzon.

“Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.

Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.    

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, njofton policia.