Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në Këshillin Bashkiak.

Këshilli Bashkiak i Himarës vendosi me votë, që nënkryetarja, Blerina Balaj, të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja.

Ajo ishte në garë me nënkryetarin e kësaj bashkie Pervin Gjikuria.

Votimi në Këshillin Bashkiak vjen pas arrestimit të kryetarit në detyrë Jorgo Goro për shpërdorim detyre.

Goro me një letër nga qelia e burgut drejtuar prefektit të Qarkut dha dorëheqjen nga posti.

Gjithashtu në burg ndodhet edhe Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i dënuar me 2 vite burg me akuzën e blerjes së votave para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Mbledhja e Këshillit bashkiak të Himarës u shoqërua me tensione të ashpra.

Qytetarë dhe mbështetës të Fredi Belerit u futën në ambientet e brendshme të bashkisë Himarë, ku u përplasën edhe me policinë.

Ata kërkuan largimin e prefektit të Vlorës, Vangjel Tavo dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi.

Pas tensioneve të krijuara drejtuesi politik Blendi Klosi dhe prefekti i Qarkut të Vlorës u larguan. Gjithashtu “braktisën” sallën edhe këshilltarët.

Ndërkohë mbledhja u shty për në orën 12:00, pa praninë e qytetarëve, ku u mor edhe vendimi për komandimin në krye të Bashkisë Himarë të Blerina Balajt.