Matilda Salla ka ndërruar jetë në spital pas një aksidenti tragjik që ka ndodhur dje në rrugën dytësore Tiranë-Durrës. Ishte pikërisht rruga që ajo bënte përditë për të shkuar në punë, pranë një institucioni privat ku shërbente si asistente projektesh.

Mësohet se 35 vjeçarja kishte marrë plagë të rënda nga përplasja me makinë dhe fatkeqësisht ka mbyllur sytë përgjithmonë në spital.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasin O. B., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, ka aksidentuar shtetasen M. S., 35 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ka ndërruar jetë më pas, në spital”, njofton Policia e Tiranës.

Kolegët e institutit ku Matilda punonte prej një viti, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës,  dhe të gjithë ata që e njihnin janë tronditur nga ikja e saj e papritur dhe e parakohshme. Edhe disa nga institutet dhe organizatat e tjera që ajo ka punuar ndër vite, kanë shkruar mesazhe ngushëllimi.