Policia e Shtetit ka prangosur në Berat një 35-vjeçar të shpallur në kërkim për marrëdhënie seksuale me të mitur dhe përndjekje.

35-vjeçari i dënuar me 4 vjet e 5 muaj burgim, nga Gjykata e Sarandës, u vu në pranga falë informacioneve të siguruara nga shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal, përmes inteligjencës informative.

Bazuar në këto infomacione dhe në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas koordinimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Sarandë, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasin Aljon Pasho, 35 vjeç, banues në Sarandë, i cili ishte strehuar në banesën e një të afërmi të tij.

35-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë e ka dënuar me 4 vjet e 5 muaj burgim, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Përndjekja”.

Në vitin 2018, në qytetin e Sarandës, shtetasi Aljon Pasho ka përndjekur një shtetase të mitur 13 vjeçe dhe më pas ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga Komisariati i Policisë Sarandë.