Dy burra që kishin shpresuar të kërkonin azil në Mbretërinë e Bashkuar janë burgosur pasi u gjetën duke ndihmuar në një instalim ‘industrial’ të kanabisit brenda një fabrike në Sheffield.

Damiano Behari, 25 vjeç dhe Eneo Guri, 27 vjeç, u gjetën duke jetuar brenda një fabrike në Collwall Street, në Darnall, pasi policia preu grilat në pjesën e përparme të magazinës mëngjesin e 5 dhjetorit 2023. Prokurorja Stephanie Hollis i tha gjykatës së Sheffield Crown më 20 shkurt se dy të pandehurit kishin tentuar të iknin përpara se të arrestoheshin nga oficerët në vendngjarje. Në secilën prej tyre u gjetën gjithsej 475 funte dhe tre telefona celularë.

Zonja Hollis tregoi se si një grup “shumë i madh” kanabisi u gjet nga oficerët brenda magazinës. Gjithsej 600 bimë gjendeshin brenda ambienteve, disa prej të cilave arrinin deri në 91 cm lartësi. Impiantet u vlerësuan të vlejnë midis 252,000 dhe 350,000 £, dhe zonja Hollis shtoi se ishte “qartë e destinuar për furnizim”. Kishte gjithashtu dëshmi të kulturave të mëparshme. Organizimi u cilësua si “i sofistikuar” nga prokuroria.

Energjia elektrike ishte vjedhur, monitorët u gjetën brenda ambienteve të lidhur me kamera sigurie jashtë, kishte një sistem filtrimi dhe ndriçim “me intensitet të lartë” për të ndihmuar rritjen e të korrave.

Avokati mbrojtës i Damiono Beharit, tha se klienti i tij ishte larguar nga Shqipëria “për sigurinë e tij” pasi kishte 50,000 euro borxh për trajtimin mjekësor për familjen e tij të sëmurë, një argument ky i përdorur shpesh nga emigrantët shqiptarë atje. Pasi mbërriti në Britaninë e Madhe në pjesën e pasme të një kamioni, Damiano kishte nisur një lidhje false me një vajzë në Instagram. Por West tha se vetëm kur Damiano e takoi atë kuptoi se ishte futur në kurth dhe ai u “rrëmbye” dhe u dërgua në Sheffield gjashtë ditë para arrestimit të tij. West i përshkroi kushtet e jetesës brenda fabrikës si “të zymta” dhe “të mjera”. Por Damiano ndjeu se nuk mund të largohej “nga frika e pasojave”.