Tërmet në futbollin italian. Trajneri i kombëtares, Roberto Mancini ka dhënë dorëheqjen me efekt të menjëhershëm nga drejtimi i ekipit. Komunikimin zyrtar e ka dhënë federata, e cila ka bërë të ditur se pasardhësi do të shpallet në ditët në vijim .

Lajmi vjen si një rrufe në qiell, më pak se dy javë pasi tekniku u emërua kreu i projektit të Club Italia për të koordinuar të gjithë sektorin e futbollistëve të rinj deri në U20 .

Pavarësisht kontratës deri në vitin 2026, Mancini i befasoi të gjithë dhe u largua pas 5 vitesh me triumfe dhe dështime të mëdha si fitorja e Euro 2020 dhe mospjesëmarrja në Botërorin e Katarit 2022.

Menjëherë pas këtij lajmi kanë nisur dhe dilemat se kush mund të jetë pasuesi dhe emrat më të lakuar janë Luciano Spalletti, i cili udhëhoqi Napolin për të fituar Scudetton dhe Antonio Conte, pa ekip pas divorcit pranveror me Tottenham.

“Federata Italiane e Futbollit njofton se ka marrë parasysh dorëheqjen e Roberto Mancinit nga posti i trajnerit të kombëtares italiane, të marrë dje në orët e vona të mbrëmjes.

Kështu përfundon një faqe e rëndësishme në historinë e Azzurrit, e cila filloi në maj 2018 dhe përfundoi me finalet e Ligës së Kombeve 2023; në mes, fitorja në Euro 2020, një triumf i arritur nga një grup në të cilin të gjithë individët ditën të bëhen ekip.

Duke marrë parasysh angazhimet e rëndësishme për kualifikueset e UEFA Euro 2024, FIGC do të shpallë emrin e trajnerit të ri kombëtar në ditët në vijim”, shkruhet në njoftimin e federatës.